Wednesday Apr 16

PROGRAMI I PARTISË SOCIALISTE TË KOSOVËS

 

I. PARIMET PROGRAMORE

Historia
Shteti ligjor
Demokracia
Drejtësia sociale
E drejta e punës
Të drejtat e njeriut
Familja, gruaja dhe fëmijët
Rendi dhe siguria publike
Religjioni

II. SRATEGJIA POLITIKE

Politika
Ekonomia
Drejtësia
Arsimi dhe Shkenca
Kultura
Shëndetësia
Ekologjia
Shoqëria civile dhe mediat
Mërgata
Integrimet

Hyrje

Partia Socialiste e Kosovës u krijua si domosdoshmëri politike
pas krijimit të rrethanave të reja kombëtare: çlirimit të vendit, shpalljes së Pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet sovran e i pavarur.
Në Kongresin e 8-të, më 30 maj 2009 në Prishtinë, Lëvizja Popullore e Kosovës vendosi të transformohet nga një lëvizje politike kombëtare në një subjekt politik-Partinë Socialiste të Kosovës, me orientim politik dhe ideologjik të qendrës së majtë.
Përse ndodhi ky profilizim i majtë i saj?
Shoqëria e pasluftës në Kosovë ndodhet në krizë politike, ekonomike, morale e shoqërore.
Shoqëria jonë kërkon transformime demokratike, vetëdije e vizione të reja për veten e botën. 
PSK do të jetë subjekt politik i së majtës europiane, që respekton pluralizmin demokratik dhe vlerat e  shoqërisë qytetare.
Veprimtarinë e saj politike do ta udhëheqin parimet dhe vlerat e mirëfillta demokratike.
Ajo do të angazhohet për një shoqëri të lirë demokratike, që respekton vullnetin, tolerancën, diversitetin e njerëzve dhe liritë e të drejtat qytetare.
PSK do të angazhohet për ndryshime pozitive në shoqëri dhe për zhvillimin e natyrshëm  të vendit në ritmin modern të botës.
PSK do të jetë e hapur për bashkëpunim të barabartë me të gjitha subjektet politike kombëtare e ndërkombëtare për çështjet me interes të përbashkët për vendin e më gjerë.

I. PARIMET PROGRAMORE

1. Historia

Historia jonë kombëtare është mbështetje për një të ardhme të sigurt.
Mbijetesa historike dhe vitaliteti kombëtar janë vlera të identitetit tonë kombëtar.
Kosova që nga lashtësia është e banuar me shumicë shqiptare autoktone. Paraardhësit tanë ilirë ishin ndër banorët më të lashtë të Gadishullit Ballkanik, ndërsa gjuha shqipe ndër gjuhët e lashta indoeuropiane. Kosova është pjesë e natyrshme e atdheut dhe e qytetërimit europian.

2. Shteti Ligjor

PSK zotohet për shtetin funksional juridik e demokratik.
Mbizotërimi i ligjit është motoja jonë politike. Atij duhet nënshtruar të gjithë qytetarët, pavarësisht nga statusi i tyre shoqëror.
Shteti kushtetues demokratik ushtron pushtetin mbi parimet e drejtësisë, të ligjit e ndarjes së pushtetit, bazuar në mekanizmat e kontrollit e balancës, si dhe të vullnetit të  popullit sovran.

3. Demokracia

Demokracia është vlerë themelore e shoqërisë qytetare, që bazohet në parimin e shumicës. 
Institucionet demokratike përfaqësojnë vullnetin e shoqërisë
në organet e pushtetit, të formuar nga vota e tij e lirë.
PSK deklarohet për zgjedhje parlamentare e presidenciale.
Sistemi i demokracisë dhe i ekonomisë sociale të tregut, që ne aspirojmë, synon një shoqëri të lirë, ku secili qytetar zhvillon personalitetin e tij, duke dhënë kontribut të veçantë për jetën politike, shoqërore, ekonomike e kulturore të vendit.
PSK zbaton në organet partiake parimin e vendosjes me shumicë votash dhe mohon autoritarizmin politik. 
Ajo lufton çdo formë të diskriminimit, ksenofobisë, terrorizmit e anarkizmit në jetën shoqërore.

4. Drejtësia sociale 

PSK synon drejtësi në realizimin e të ardhurave dhe drejtësi sociale. 
Të gjithë qytetarët kanë të drejtë për jetesë të denjë.
Ata kanë të drejtë për punë, sigurim social dhe pensional.
Pjesëmarrësit e Luftës Çlirimtare: Veteranët, Invalidët, Familjet e Dëshmorëve dhe Viktimat e luftës do të gëzojnë status të veçantë ligjor.
Zhvillimi ekonomik krijon mbështetjen materiale për realizimin e programit  social dhe sigurimin e mirëqenies së qytetarëve.
PSK angazhohet për ristrukturimin ekonomik dhe  shpërndarjen e drejtë të të ardhurave kombëtare.
Programet e ndryshimeve ekonomike duhet të kenë parasysh papunësinë masive dhe stresin ekonomik e social.
Të gjithë qytetarët duhet kenë të drejtë për një vend pune.
Mbrojtja sociale e shtresës së varfër të shoqërisë do të jetë në objektivin tonë.
Do të hartohen programe edukimi e profesionalizimi për risocializimin e delikuentëve dhe të të dënuarve.

5. E drejta e punës

E drejta e punës është e drejtë themelore e ekzistencës së njeriut.
PSK respekton të drejtën e punës të çdo individi të aftë për punë.
Vendi ynë ka shkallën më të lartë të papunësisë dhe numrin më të lartë të të aftëve për punë.
Politika shtetërore duhet të hartojë programe konkrete për hapje të vendeve të reja  të punës.
Punëtori ynë ende nuk gëzon të drejtat dhe sigurinë në punë as në sektorin privat, as në atë publik.
Zbatimi i Ligjit të punës dhe i kontratës kolektive janë dy  dokumente ligjore, që do të mbrojnë të drejtat  punëtorëve nga diskriminimi dhe shfrytëzimi  i paligjshëm.
PSK do të zbatojë përvojat më të avancuara perëndimore për të realizuar të drejtat dhe sigurinë në punë.

6. Të drejtat e njeriut

Partia Socialiste e Kosovës udhëhiqet nga parimi i Deklaratës Universale për të Drejtat e Njeriut të Kombeve të Bashkuara:

Të gjithë njerëzit lindin të lirë e të barabartë në dinjitet dhe në
të drejta.

PSK respekton të gjitha të drejtat e njeriut, si parakusht i të gjitha të drejtave e lirive të tjera politike, civile e sociale.
Vetëm kur këto të drejta garantohen e zbatohen me drejtësi, krijohen mundësitë reale që njerëzit të jetojnë të lirë e të barabartë.
Realizimi i lirive dhe i të drejtave njerëzore e dallon një shoqëri demokratike nga ajo totalitare.
Të gjithë qytetarët kanë të drejtën për identitet etnik, gjuhësor e kulturor.
PSK respekton të drejtat e minoriteteve në përputhje me Deklaratën e  të Drejtave të Njeriut të Kombeve të Bashkuara dhe aktet e tjera ndërkombëtare.

7. Rendi dhe siguria publike

Shteti është aparat i ligjshëm që krijon rendin e sigurinë publike.
Ai garanton rend e siguri për të gjithë qytetarët dhe ofron mbrojtje e kompensim nga fatkeqësitë e ndryshme natyrore  e të tjera.
PSK lufton çdo formë të kriminalitetit në shoqëri, si krimin e organizuar, korrupsionin dhe terrorizmin.
Siguria kombëtare mund të jetë e plotë vetëm atëherë kur arrihet siguria individuale e kolektive.
Fuqia e shtetit nuk qëndron vetëm në sigurimin e teknologjive moderne të mbrojtjes, por mbi të gjitha në stabilitetin e vendit,
zhvillimin shoqëror e ekonomik, zbatimin e drejtë të ligjit, respektimin e të drejtave e lirive të qytetarëve dhe në politikat paqësore e aleancat e qëndrueshme politiko-ushtarake.
PSK do të angazhohet që Policia e Kosovës (PK) dhe ushtria e Kosovës (FSK) të jenë garant për ruajtjen e rendit kushtetues dhe integritetit territorial të vendit.

8. Familja, gruaja dhe fëmijët

Familja është bërthamë e shoqërisë njerëzore.
Interesat familjare janë interesa shoqërore e kombëtare.
E ardhmja e shoqërisë  është e sigurt kur familja krijon kushte për ekzistencë ekonomike e sociale.
Familja zhvillohet normalisht kur shteti përmbush detyrimet shoqërore për arsimimin, edukimin, sigurimin social e shëndetësor dhe mbrojtjen nga abuzimet e pushtetit prindëror.
Shoqëria duhet ta ndihmojë familjen të arrijë kolektivisht atë që nuk mund ta bëjë vetëm.
Familjet e dëshmorëve do të kenë gjithherë respektin dhe kujdesin tonë institucional.
PSK angazhohet për statusin e barabartë të femrës në shoqëri.
Ajo do të gëzojë mbrojtjen ligjore nga të gjitha format e diskriminimit gjinor.
Femra do të ndihmohet për emancipimin e saj dhe përfaqësimin në gjitha strukturat e shoqërisë.
Fëmijët janë e ardhmja jonë.
Ne angazhohemi që atyre t’u sigurohet një zhvillim i lirë i personalitetit, arsimim standard, hapësirë argëtuese, mbrojtje të posaçme ligjore nga dhuna, abuzimi, shfrytëzimi e trafikimi i qenieve njerëzore.
Rinija jonë do të gëzojë një zhvillim të lirë për të qenë pjesë kreative e shoqërisë.
Harmonia e familjes dhe jeta kolektive e fëmijëve janë fillesa e solidaritetit shoqëror dhe e shtetit social që ne synojmë.

9. Religjioni

E drejta e besimit:

PSK respekton lirinë e plotë të besimit të qytetarëve, besimin në fe dhe shkencë, si formë e vetëdijes shoqërore.
Besimi dhe përkatësia fetare janë e drejtë legjitime e çdo qytetari.
E drejta e besimit  fetar garantohet me kodin ligjor të shtetit laik.
Mirëkuptimi dhe toleranca fetare janë ndër vlerat tona tradicionale.
Ekstremizmat fetarë nuk mund të cenojnë  besimet e tjera dhe  
identitetin etnokulturor.  

II. STRATEGJIA POLITIKE

1. Politika

PSK e koncepton politikën si veprimtari të udhëheqjes parimore e të përgjegjshme të shoqërisë dhe të shtetit.
Politika rregullon institucionalisht marrëdhëniet harmonike mes individëve e komuniteteve me shoqërinë dhe shtetin.
Ajo respekton vullnetin e lirë të qytetarëve dhe u nënshtrohet kërkesave të tyre për ndryshime pozitive.
PSK angazhohet për shtetin ligjor demokratik dhe shoqërinë qytetare.
PSK  vë në  plan të parë  interesat kombëtare e shoqërore.
Në institucionet shtetërore do të angazhojë ekspertë, pavarësisht përkatësisë partiake.
Në planin ndërkombëtar e rajonal zhvillon politikën e bashkëpunimit me interes të ndërsjellë.

2. Ekonomia

PSK mbështet reformimin e ekonomisë së tregut dhe proceset integruese ekonomike ndërkombëtare si faktorë të rëndësishëm për zhvillimin e vendit.
Zhvillimi ynë ekonomik duhet mbështetur në prodhimet vendore dhe në shfrytëzimin racional të resurseve ekonomike.
PSK angazhohet për menaxhimin me sukses të ndërmarrjeve publike.
Ndërmarrjet publike që punojnë me fitim nuk do të privatizohen. Ato ndërmarrje që punojnë me humbje do të privatizohen. Ndërmarrjet që privatizohen duhet të sigurojnë zhvillimin ekonomik të vendit, ndërsa aksionet më të mëdha mbeten në pronësi shtetërore.
PSK angazhohet për një politikë fiskale efikase që favorizon shtresën e varfër dhe të mesme të shoqërisë.
Ajo synon një treg fleksibil të punës për të mënjanuar varfërinë e skajshme në shoqërinë tonë.

3. Drejtësia

PSK respekton e mbron Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si akt  themelor i shtetit e rendit  tonë juridik.
Kushtetuta garanton siguri për qytetarët dhe gjithë shoqërinë tonë. Ajo garanton zbatimin korrekt të ligjit, drejtësi e barazi para ligjit dhe rend e siguri publike.
Shteti është i fortë dhe i qëndrueshëm vetëm kur ndërton institucione  me vlera e parime demokratike.
Organet gjyqësore do të jenë plotësisht të pavarura nga arbitrariteti politik.
Do të mbrohet ligjërisht prona private, prona shtetërore dhe publike.
PSK mbështet deklarimin plebishitar  të popullit për çështjet me rëndësi kombëtare e shoqërore, si formë e mirëfilltë e demokracisë.

4. Arsimi e Shkenca

Arsimi e shkenca janë dy faktorë historikë të zhvillimit e emancipimit të shoqërisë njerëzore.
Përmes tyre bota ka arritur të ndryshojë pozitivisht, duke krijuar vlerat themelore të civilizimit të sotëm .
PSK konsideron se emancipimi i shoqërisë sonë arrihet me një sistem modern arsimor, duke aplikuar metoda të reja dhe reforma   sipas standardeve perëndimore. 
Arsimi ynë do të modernizohet që nga metodologjia deri te kushtet e punës. Hapësira mësimore do të zgjerohet sistematikisht për të krijuar kushte normale të punës.
Arsimimi profesional do të ketë përparësi për të zënë punë.
PSK mbështet zhvillimin e arsimimit publik e privat, sipas programeve e standardeve arsimore, me qëllim të krijimit të hapësirës dhe cilësisë së mësimeve.
Ne mbështesim shndërrimin e universiteteve në qendra kërkimore-shkencore të studimeve profesionale.
Ne respektojmë pavarësinë profesionale të institucioneve shkencore për një veprimtari të lirë e krijuese.
Institucionet shkencore duhet reformuar në funksion të zhvillimit të vendit.  
Dinjiteti akademik dhe cilësia e studimeve do të avancohen duke siguruar stimulimin përkatës dhe kushtet e punës.
Arsimi dhe shkenca moderne mundësojnë edhe integrimin më të shpejtë të vendit tonë në qytetërimin europian. 

5. Kultura

Arti dhe kultura krijojnë vlera të çmuara të traditës së qytetërimit.
Ato janë shprehje shpirtërore individuale e kombëtare.
PSK çmon traditën kulturore e artistike.
Ajo respekton zhvillimin e lirë të kulturës e të artit dhe qarkullimin e lirë të ideve, vlerave artistike e kulturore.
PSK do të mbështesë funksionimin normal të institucioneve kulturore e artistike.
Ajo do të mbrojë kulturën materiale e shpirtërore të vendit.
PSK mbështet zhvillimin e sportit në vend dhe internacionalizimin e tij.

6. Shëndetësia

Shëndetësia do të jetë njëra ndër objektivat e rëndësishme të angazhimit tonë.
Sistemi shëndetësor do të modernizohet me aparaturë e infrastrukturë të re për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve.
Do të rritet financimi shtetëror për shëndetësinë.
Ne synojmë të zgjerojmë rrjetin e shërbimeve shëndetësore, duke siguruar edhe kodin ligjor të funksionimit të tyre.
Sektori privat i shëndetësisë duhet të ofrojë kosto të përballueshme për qytetarët.
Do të bashkëpunojmë aktivisht me të gjitha organizatat shëndetësore ndërkombëtare për të aplikuar programet e përvojat e tyre në trajtimin e sëmundjeve të rënda dhe epidemive eventuale, duke identifikuar shkaktarët dhe masat përkatëse.

7. Urbanizmi e ekologjia

PSK  angazhohet për një plan të përgjithshëm hapësinor të ndërtimit të vendbanimeve me infrastrukturë moderne.
Ajo do të kultivojë kulturën urbane dhe do të ruajë trashëgiminë arkitekturale.
Mbrojtja ligjore dhe kultivimi i mjedisit do të jenë ndër fushat e rëndësishme të përkujdesit tonë.
Do të sigurojmë kodin ligjor për mbrojtjen ekologjike të pyjeve, lumenjve, qyteteve tona dhe të biodiversiteteve nga ndotja e asgjësimi i tyre.
Shumë zona alpine do të bëhen parqe nacionale dhe qendra të rëndësishme turistike e rekreative, ku do të shijohen bukuritë natyrore të vendit tonë.
Ruajtja e ekosistemeve natyrore ka një peshë të veçantë për zhvillimin ekonomik.
Hapësira e shëndoshë ekologjike siguron ekzistencën e botës së gjallë dhe të qenies njerëzore.

8. Shoqëria civile dhe mediat

PSK çmon vlerat morale e qytetare dhe institucionet kombëtare.
Shoqëria civile është promotore demokratike e zhvillimit të
jetës publike e shoqërore.
PSK është e  hapur për ndryshime të vazhdueshme pozitive në shoqëri.
Ajo do të zhvillojë një partneritet me shoqërinë civile, duke përfillur sugjerimet e saj për kërkesat e qytetarëve.
PSK respekton lirinë e plotë të shprehjes dhe të  mendimit kritik të mediave.
Ato kanë një ndikim të fuqishëm në formimin e opinionit publik.
Informimi objektiv e korrekt i opinionit publik ndikon drejtpërdrejt edhe në zhvillimet shoqërore.

9. Mërgata

PSK e konsideron mërgatën shqiptare pjesë të qenies kombëtare.
Mërgata jonë duhet të gëzojë të drejtën e përkujdesit shtetëror.
Ne mbështesim organizimin e mërgatës sonë në qendra kulturore e arsimore për të ruajtur identitetin kombëtar, si dhe integrimin e tyre në shoqëritë ku jetojnë.
PSK do të krijojë kushte të favorshme për investimet e mërgatës dhe kthimin e saj gradual në atdhe. 

10. Integrimet

Partia Socialiste e Kosovës angazhohet për integrimin e plotë politik, ekonomik, kulturor e arsimor kombëtar.
Në planin ndërkombëtar, angazhohet për integrimin shtetëror në të gjitha strukturat euro-atlantike, në asociacionet rajonale dhe në të gjitha organizmat ndërkombëtarë.
Interesat e zhvillimit të shoqërisë  dhe të vendit tonë janë në qytetërimin perëndimor.
PSK çmon miqësinë me popujt e tjerë dhe dëshiron bashkëpunim e respektim të ndërsjellë me të gjithë fqinjët tanë.

Prishtinë, 27 mars 2010

Xhirollogaria

Emri:
PARTIA SOCIALISTE E KOSOVËS

Emri i bankës:
Raiffeisen Bank

Numri i xhirollogarisë:
1501110001644707

Swift Code:
RBKORS22

Adresa:
Prishtinë, 10000, Kosovë

PSK - parimet themelore

Partia Socialiste e Kosovës u krijua si domosdoshmëri politike, pas krijimit të rrethanave të reja kombëtare: çlirimit të vendit, shpalljes së Pavarësisë dhe njohjes ndërkombëtare të Kosovës shtet sovran e i pavarur.

PSK do të jetë subjekt politik i së majtës europiane, që respekton pluralizmin demokratik dhe vlerat e  shoqërisë qytetare.

Veprimtarinë e saj politike do ta udhëheqin parimet dhe vlerat e mirëfillta demokratike.

Ajo do të angazhohet për një shoqëri të lirë demokratike, që respekton vullnetin, tolerancën, diversitetin e njerëzve dhe liritë e të drejtat qytetare.

PSK do të angazhohet për ndryshime pozitive në shoqëri dhe për zhvillimin e natyrshëm  të vendit në ritmin modern të botës.

PSK do të jetë e hapur për bashkëpunim të barabartë me të gjitha subjektet politike kombëtare e ndërkombëtare për çështjet me interes të përbashkët për vendin e më gjerë.


Lexo programin...

KSP - Basic Principles

Kosova Socialist Party was established as a political necessity from the rise of new national conditions: liberation, declaration of Independence and international recognition of Kosova as a sovereign and independent country.


KSP will become the European left wing political party observing democratic pluralism and respecting civil society values. Its political activities will be led by authentic democratic principles and values.

KSP shall be committed for a free democratic society that observes the will, tolerance, diversity and human rights and freedom.

KSP shall be committed for positive change in the society and towards a natural country development in line with the modern pace of the world.

KSP shall be open to equal cooperation with all national and international political parties on any matters of common interest to Kosova and beyond.

More...